Xhovani Bokaçio (16 qershor 1313, – 21 dhjetor 1375), një përvjetor për Bokaçion e famshëm / 710 vite

Poeti i tretë i madh dhe i fundit i shekullit XIV është Bokaçio, admiruesi dhe miku besnik i Petrarkës. Ai, gjithashtu, ishte nga Firence, sepse, pavarësisht se kish lindur në Paris, babai qe fiorentinas dhe u rrit në brigjet e Arnos. Bokaçio ka qenë më i gjallë dhe më gazmor se dy ‘vëllezërit’ e tij në poezi. Njeri i çastit dhe interesi i tij lidhej sidomos me gjërat e jashtme. Ndërsa Petrarka interesohej sidomos për emocionet dhe ndjenjat, Bokaçio vëzhgonte dhe gjestet e të tjerëve.

Bokaçio dinte të admironte poetët e tjerë. Perënditë e tij ishin Dante dhe Petrarka dhe bëri gjithë ç’kishte në dorë për të nderuar kujtimin e tyre në qytetin e lindjes. Dantes, ai i kushtoi një biografi që, për fat të keq, nuk shpëtoi nga teprimet, në secilin nga rreshtat shfaqte se deri në çfarë pike autori ishte i dashuruar pas subjektit të tij. Në pleqëri Bokaçio fitoi nga qeveria e Firences të drejtën për krijimin e një katedër universitare për studimin e poezisë së Dantes. Ai u bë titullari i parë i saj.

Bokaçio ka lindur në vitin 1313 (16 qershor), gjë që e bën atë bashkëkohësin e Kola di Riencit. Babai qe një tregtar i pasur, i pajisur me një energji të rrallë, por tregoi fare pak mirëkuptim për gjallërinë dhe imagjinatën e të birit, Xhovanit. Në një çast të caktuar, kundërshtia që ekzistonte ndërmjet poezisë dhe mënyrës së jetesës u bë e tillë para syve të të riut Bokaçio, aq sa  filloi të urrente të atin dhe shtëpinë e zymtë, ku sillej si tiran. Më kot mëtoi i ati, që ai të merrej me tregti dhe nuk ia doli gjithashtu as ta bënte avokat. “Zemra dhe koka ime ishin kthyer vetëm nga poezia, na tregon poeti. Më kujtohet shumë mirë se kisha thurur disa vargje përpara se të mbushja shtatë vjeç”.

Bokaçio i kaloi vitet e fundit të studimeve në Napoli, ku i ati duhet të ketë pasur marrëdhënie pune. Poeti mori kontakt me një botë të pasur e të dendur, të ndryshme nga ajo që kishte njohur në veri të Italisë. Napoli ishte një port i madh detar, vendi ku takoheshin lundërtarët e tërë botës. Përzierja e pasur e qytetërimit që kishte lindur dikur në Siçili, atje qe ende në lulëzim.

Dhe, ndërkohë erdhi dashuria. Në sajë të lidhjeve me të fuqishmit, fiorentinasit iu lejua të merrte pjesë në jetën mondane të qytetit. Në këtë mjedis të etur për gëzimet e jetës dhe mjaft mendjelehtë, Bokaçio kish njohur disa aventura dashurie, por në moshën 20 vjeç ai ra me të vërtetë në dashuri me një konteshë napolitane që quhej Maria, vajza e mbretit Robert lë Bon. Ai i këndoi kësaj të dashure nën emrin Fiameta, flakë e vogël. Maria qe e martuar dhe tre vjet më e madhe se admiruesi i saj i ri. Bokaçio u bë mik intim i të shoqit, gjë që i mundësonte  të vinte shpesh për vizitë në këtë shtëpi. Në prozë dhe në vargje, ai e pikturoi Marien si idealin e bukurisë femërore dhe të fisnikërisë së shpirtit. Vajza e mbretit interesohej me pasion pas letërsisë dhe u ndje shumë e mikluar nga ky homazh i poetit. Në shumë nga poemat e tij, Bokaçio qahet se nuk diti të mposhtte ftohtësinë e së dashurës.

Bokaçio kishte pra plotësisht të drejtë të këndonte dhembjen dashurore në sonete dhe këngë. Pjesa më e madhe e poemave të tij, ashtu si dhe romanet, janë frymëzuar nga Fiametta. Pa dashurinë e tij për të, Bokaçio nuk do të ishte bërë poeti që ne njohim. Admirimi i tij mbijetoi me vdekjen e të dashurës, deri në moshën e pjekurisë së tij.

Është Fiametta që e nxiti të shkruajë romanin Filocol (Të dashuruarit e pafatë). Ajo i sugjeroi të shkruante në italisht tregimin e dashurisë së penguar të Floris dhe Blankëflur. Imagjinata rinore dhe rrëzëlluese e Bokaçios bëri nga kjo histori e thjeshtë kalorësiake, një roman pasionant me një vazhdimësi episodesh trullosëse. Floris, personazh i Bokaçios, fshihet nën emrin e Filocolo gjatë kohës që kërkonte Blankëflurin, e shitur si skllave nga vjehrri dhe vjehrra e saj. Pas kuturisjesh të panumërta plot rreziqe, dy të dashurit më në fund gjejnë njëri-tjetrin.

Romani më i famshëm i Bokaçios mban vetë emrin e Fiamettës. Fiametta është e vjetra, por gjithmonë historia e re e të dashurit të pabesë, që tregon me një sens mjaft të rafinuar atë që mund të ndjejë dhe vuajë një grua që po plaket. E reja dhe bukuroshja Fiametta ka bërë një martesë të lumtur me një fisnik të pasur dhe të ditur, por zemra e saj ndizet papritur nga një pasion i pamposhtur për një djalosh të huaj të ardhur nga Toskana. Ajo bëhet dashnorja e këtij, Panfilios. Dashuria e tyre nuk zgjat veçse disa muaj, sepse Panfilion e thërrasin në qytetin e vet. Kështu ai niset duke premtuar të vijë katër muaj më vonë. Katër muajt kalojnë pa marrë asnjë lajm nga i pabesi Panfilio. Dyshime të tmerrshme e pushtuan Fiamettën, dhe për fat të keq ato janë më se të justifikuara, sepse ajo mëson se Panfilio ka rënë në dashuri me një grua tjetër. Dhe sëmuret nga dëshpërimi, kurse gjithë shkenca e mjekësisë është e pafuqishme ta shërojë, ndërkohë që i shoqi, që nuk dyshonte për asgjë, nuk arriti ta ngushëllonte. Ajo deshi t’i jepte fund jetës, por e shpëtoi dadoja e saj, që ia dinte sekretin e dashurisë. Fiametta vendos më në fund të përballojë këtë provë, duke gjetur ngushëllim me rrëfimin që i bën kësaj dashurie të ndaluar, grave të tjera të cilat i përgjon tundimi. Është pra vetë Fiametta që shkruan romanin, heroinë e të cilit është ajo vetë.

Dekameroni

Për çdo njeri, emri i Bokaçios të ndërmend menjëherë Dekameronin e famshëm. Ky emër vjen nga greqishtja dhe do të thotë: dhjetë ditë. Janë dhjetë ditë gjatë të cilave gjenden të bashkuara shtatë dama të reja dhe joshëse dhe tre zotërinj të sjellshëm, që kishin ikur nga Firence e shkatërruar nga një epidemi murtaje, pasi patën humbur gjithë të afërmit. Ata u strehuan në një kështjellë në rrethinat e qytetit dhe për të harruar tmerrin e situatës ata tregojnë histori prekëse, apo zbavitëse. Çdo ditë secili nga personat e mbledhur tregon historinë e tij.

Motivet e 100 ndodhive nga të cilat përbëhet Dekameroni janë huajtur nga të gjitha vendet dhe të gjitha epokat, si dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Veprimi zhvillohet si në kasollen e fshatarit, ashtu edhe në pallatin e mbretit. Çdo gjë është e përshkruar me një sens të madh realiteti, sepse Bokaçio është plotësisht në dijeni të natyrës njerëzore. Sigurisht që është një libër që nuk duhet lënë në çdo dorë. Këto tregimet kanë një rrjedhë shumë të paturpshme, janë plot situata komike dhe tipare pikante.

Gruaja që mashtron të shoqin e padjallëzuar është një motiv që haset shpesh. E tillë është historia e Florentinës së bukur, e martuar me një kalorës dhe që pret në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, dy të dashurit, pa pasur ata dijeni për njëri-tjetrin, kur i shoqi vjen papritur. Në sajë të gjakftohtësisë së saj, gruaja e shkathët arrin ta shpëtojë situatën. Ajo i thotë të dashurit të parë Lambertuçios, kali i të cilit turfullonte në oborrin e kështjellës: “Bëj atë që do të them unë. Nxirr kamën tënde dhe bëj sikur je tërbuar nga zemërimi. Kapërce oborrin duke bërtitur: “E martë dreqi, do ta kap një herë tjetër!”. Nëse burri im tenton të të ndalojë dhe të pyes mos i kthe përgjigje por hip menjëherë në kalë”. Lambertuçio bëri siç i tha ajo. Ai zbriti shkallët, kaloi si furtunë pranë të shoqit të shastisur dhe kërcen në kalë. Kur kalorësi arriti në krye të shkallëve, ai pa të shoqen të ngurosur nga frika “Përse, i tha ai Lambertucios, lëshon kërcënime kaq të tmerrshme”?

Gruaja ndalet përpara dhomës së saj, në mënyrë që Leonetto, i dashuri tjetër, që rrinte fshehur pas perdes së krevatit, të mund të dëgjonte se çfarë do të thoshte ajo. “Kurrë në jetën time, u përgjigj ajo, nuk kam qenë kaq e frikësuar. Një djalosh i panjohur po ia mbathte, i ndjekur nga Lambertuçio që vringëllinte kamën. I shkreti, po mundohej të strehohej në shtëpinë tonë. Rastësisht e gjeti portën hapur dhe m’u lut: “Zonjë më shpëtoni, për dashurinë e Zotit: ai do t’më vrasë përpara syve tuaj”. Doja ta pyesja për emrin dhe të më thoshte me pak fjalë si qe puna, kur Lambertuçio erdhi, duke bërtitur si i shkalur: “Ku je fshehur, maskara?”. I zura rrugën e dhomës dhe ai nuk pati guxim të futej atje pa pëlqimin tim, pasi lëshoi një lumë kërcënimesh, u zhduk ashtu siç e pe edhe ti vetë”.

“Ke bërë shumë mirë moj grua, i tha kalorësi. Çfarë skandali do të ishte kur të mësonin se një burrë ishte vrarë në shtëpinë tonë”. Pastaj e pyeti se ku gjendej djaloshi. – ”Nuk e di tha ajo se ku mund të jetë fshehur”. “Ku je futur? – bërtiti i shoqi, mund të dalësh tani, s’ke pse të kesh më frikë”. Dhe kështu të gjithë shpëtuan nga rreziku.

Një damë, Beatriçja, nga Bolonja, u tregua po aq dinake sa gruaja e kalorësit fiorentinas. Ajo kishte rënë në dashuri me Lodovikon, shërbëtorin e të shoqit. Me qëllim që të rregullonte një rast për të ndenjur vetëm me djaloshin e ri, ajo i tregoi të shoqit, fisnikut Egano, tregimin e mëposhtëm “Këtë mëngjes, kur ti ishe në gjueti, Lodoviko pati pakujdesinë të më bëjë propozime jo të ndershme. Me qëllim që të kishe në dorë provën e pabesisë bëra sikur e pranova propozimin e tij dhe i lashë takim në mes të natës, nën pishën e kopshtit. Nëse ti do të vësh në provë besnikërinë e shërbëtorit tënd, mjafton të veshësh një nga fustanet e mia, të mbulosh fytyrën me vello dhe të presësh në kopsht. Eganos iu duk një ide e shkëlqyer dhe bëri siç i tha ajo. Sapo doli, shërbëtori i zuri vendin në shtratin martesor.

Kur Egano kishte një kohë të gjatë që po priste, gruaja dinake i tha të dashurit të saj të zbriste në kopsht i armatosur me një kopaçe të mirë. Dhe atëherë ndodhi një nga skenat më argëtuese. “Grua e keqe, bërtiti Lodoviku, besoje se me të vërtetë do të bëja një veprim aq të pabesë kundër zotit tim? Dhe filloi të godiste me kopaçe në kurrizin e burrit të pafat të maskuar si grua. Kalorësi ia mbathi nga sytë këmbët, i ndjekur nga ndëshkimi i shërbëtorit që vringëllonte kopaçen duke bërtitur: “Të marrtë djalli, grua e shthurur. Mos prit më kot, sepse unë do t’ia tregoj të gjitha zotit Egano”!

Kështu kalorësi pati provën më të bukur që ai kishte një grua dhe një shërbëtor aq besnik siç i ka hije një zotërie. Qysh atëherë, në shoqërinë e gruas dhe të Lodovikut, ai u tall më se një herë me këtë histori zbavitëse. Por ndodh ndonjëherë që edhe gruaja më finoke të bëhet viktimë e historisë. Këtë mësojmë në ndodhinë që tregon aventura e një tregtari të ri fiorentinas, Salabaeto në Palermo. “Në këtë qytet kishte – dhe ka ende – një numër grash të bukura që skrupujt moralë nuk ua kanë prishur gjumin asnjëherë. Për sytë e pastërvitur, ato paraqiten si të stolisura me virtytet më të bukura, por s’kanë gjë tjetër në mendje veçse si të mashtrojnë burrat.

Salabaeto kishte shkuar në këtë Gomorrë për të shitur një pjesë të leshit, që vlente 500 florinta. Për fatkeqësinë e tij, ky detaj kishte rënë në veshin e një gruaje shumë të bukur, por me zakone të shthurura. Kur tregtari po shëtiste duke admiruar qytetin, shikimin ia tërhoqi një bukuri verbuese, që filloi t’i hidhte vështrime të dashuruara. Ai u ndje, siç edhe kuptohet, shumë i përkëdhelur nga vëmendja që dukej se po i kushtonte një grua aq e bukur. Kur ajo i la një takim, ai e ndjeu veten sikur të ishte në qiellin e shtatë. Ata u takuan më se një herë dhe si koprrac që qe, ajo grua iu duk me të vërtetë një thesar. Kurrë ajo nuk pranoi në fakt, të merrte nga ai ndonjë gjë, sado modeste të ishte.

Një ditë kur Salabaetto ishte për vizitë te bukuroshja, një i afërm i saj erdhi ta takonte me ngut dhe i kërkoi t’i fliste mënjanë. Ajo doli nga dhoma dhe u kthye pas pak, por dukej shumë e mallëngjyer dhe si mendjeprishur. U hodh mbi shtrat, dhe filloi të lëshojë rënkime të gjata. Salabaetto ishte në kulmin e pikëllimit. Ai e mori në krah, qau bashkë me të dhe e pyeti: “Thesari im, jeta ime, tregomë se çfarë ka ndodhur”.

Iu desh të këmbëngulte shumë para se të mësonte nga ajo sesi qe puna. Ajo i tregoi më në fund se sapo kishte marrë një letër nga i vëllai që gjendej në Mesinë. Ai i kërkonte t’i dërgonte brenda një jave një shumë prej një mijë florintash, pa të cilën do t’i prisnin kokën.

Me gjithë situatën e dhimbshme ku ndodhej kjo bukuroshe e mrekullueshme, nuk pranoi, veçse me vështirësi të madhe dhe pasi ai e luti shumë, të merrte hua 500 florintat që ai i kishte fituar nga tregtia. Qysh nga ajo ditë, ajo nuk foli më për këtë çështje. Pas tre muajsh tregtari i dashuruar u ndie i detyruar të kërkonte nëse mund të shpresonte të merrte një paradhënie nga shuma që i kishte dhënë hua.

Që nga ajo ditë, qëndrimi i gruas, sa vjen e bëhej më i ftohtë. Por, në këtë gjendje të vështirë, Salabaettos i erdhi ndërmend një këshillë që nuk vonoi ta vërë në zbatim. Tregtari e bëri bukuroshen të besojë se ai sapo kish marrë një pjesë mallrash me vlerë dy mijë florinta dhe priste një dërgesë të tretë që vlente të paktën tremijë. Si me magji, dashuria e gruas u zgjua menjëherë dhe disa ditë më vonë, ajo pati kënaqësinë t’i kthente Salabaettos 500 florintat që  i kishte huajtur. Pak ditë më pas, ai i tha në mirëbesim se s’kishte më të holla për një apo dy ditë, ajo i dha një hua prej 1000 florintash. Me të marrë ato, Salabetto shkundi këpucët nga pluhuri i Palermos dhe u kthye në Firence.

Tregimet e Dekameronit, me një parapëlqim krejt të veçantë, shtrihen mbi aventurat dashurore të priftërinjve, murgjve dhe murgeshave. Duke lidhur në shtyllën e turpit anëtarët e padenjë të kishës, Bokaçio nuk kishte aspak qëllim të sulmonte atë si institucion, kështu papët dhe kleri i epokës nuk kishin ç’të thoshin.

Megjithatë, kurrë ndonjë nuk do të ketë shkruar një satirë aq therëse kundër një kleri të korruptuar, sesa në tregimin e çifutit të ndershëm dhe besimtar që u konvertua në të krishterë pas një qëndrimi në Romë, ku kish qenë dëshmitar i jetës skandaloze që bënin prelatët romakë: “Kurrë kaq shumë priftërinj dhe vetë udhëheqësi i Kishës nuk arrinte dot të bashkonin tërë forcat e tyre për shkatërrimin e fesë së krishterë, pa i plotësuar qëllimet e tyre të errëta. A duhet besuar që kjo fe është me të vërtetë vepra e Shpirtit të  Shenjtë dhe i tejkalon të gjitha fetë e tjera? Deri tani unë kam shkaguar me të gjitha forcat e mia për t’u konvertuar, por që këtej e tutje asgjë s’mund të më pengojë për t’u bërë i krishterë”.

Dekameroni e bëri Bokaçion atin e tregimit modern.

Tregimet e Mesjetës janë naive dhe pa formë, pothuajse diçka më tepër se anekdotat. Bokaçio u dha atyre një strukturë artistike, një veprim të gjallë dhe dramatik dhe i bëri të futen në letërsi. Dhe kjo vetëm në sajë të talentit të madh si tregimtar të Bokaçios që do të bëhej pararendës në këtë fushë. Për sa i përket përmbajtjes së tregimeve, ai e zhvilloi tregimin mesjetar plot vërtetësi dhe kohezion psikologjik. U bë pararendës edhe në një fushë tjetër, ashtu si Dante që kishte qenë babai i poezisë italiane, Bokaçio krijoi prozën e vendit të tij. E përpunuar prej tij, toskanishtja u bë një mjet shprehës i aftë të japë çdo ide dhe çdo atmosferë, duke qenë mrekullisht e përshtatshme për të shprehur si një situatë rrëqethëse tragjike, ashtu edhe talljen më të paturpshme.

Megjithatë, Bokaçio nuk ia kushtonte të gjitha orët poezisë dhe dashurisë, ai kishte pasionin e Petrarkës për Antikitetin dhe u dha me zjarr pas punëve të humanistit. Ai u mor akoma më tepër me to pas kthimit të tij në Firence, në vitin 1349. Nga poet, ai u bë dijetar, gjithmonë duke e frenuar imagjinatën kuturisëse. Me një zell për t’u admiruar filloi të studiojë greqishten, gjuhë që, jashtë kufijve të Perandorisë romake të Lindjes, ishte braktisur. Në moshën 60 vjeçare, Bokaçio, profesor në universitetin e Firences, filloi leksionet për Ferrin e Dantes. Por një sëmundje e rëndë e detyroi të ndërpriste punimet. Lajmi i vdekjes së mikut të tij, Petrarka, ishte një goditje e rëndë për të. “Kam qarë gjithë natën, i shkroi mikut që i kishte dhënë lajmin, jo për të, më të mirin e gjithë njerëzve që tashmë u çlirua nga të gjitha vuajtjet tokësore dhe gjeti rrugën drejt Atit të tij qiellor, po për mua dhe miqtë e tjerë, që tashmë mbetëm vetëm e të braktisur në brigjet plot peripeci të jetës.

‘Vitin tjetër, në 1375, Bokaçio ndoqi pas mikun e tij në jetën e përtejme. Ai nuk u martua kurrë dhe nuk la trashëgimtarë. Fëmijët jashtë martese e patën mbyllur jetën para të atit…

Shkruar më 17 korrik 2023

Nga Xhevair Lleshi